ebook img

Rrefenja nga Amerika PDF

76 Pages·2011·0.46 MB·Albanian
Save to my drive
Quick download
Download
Most books are stored in the elastic cloud where traffic is expensive. For this reason, we have a limit on daily download.

Preview Rrefenja nga Amerika

“R Ë A ” R FENJA NGA MERIKA -Përjetime dhe portrete shqiptarësh në mërgim- Pëllumb Kulla TOENA, Tirane 2011 ISBN: 9789994316922 RRËFENJA E PARË: - JA BRE, KJO ËSHTË AMERIKA! 4 RRËFENJA E DYTË: - KUR MOS KEM MAMANË! 10 RREFENJA E TRETE - NJË NUSE SHQIPTARE RRËMBEHET NË NJU JORK 16 RRËFENJA E KATËRT: NJË POLITIKAN I TIRANËS VJEN NË UASHINGTON 22 RRËFENJA E PESTË: TAKIM ME DY GOGOLAT E PARË SA SHKEL NË AMERIKË 29 RRËFENJA E GJASHTË: URAT QË TË SHPIEN NË MENHETTEN 35 RRËFENJA E SHTATË: PËRSE TË AKUZOJA ATËHERE, OR MË QAFSH?! 40 RRËFENJA E TETË: CA FIQ PËR NJË KITARË XHAZI 47 RRËFENJA E NËNTË: SI FSHEHA MES SHALËVE DYZETETREMIJË DOLLARË 54 RREFENJA E DHJETË: PRESIDENTI I AMERIKËS APO GUVERNATORI I NEBRASKËS? 67 RRËFENJA E NJËMBËDHJETË: NË PRITJE PËR NJË BURRË AMERIKAN 72 RRËFENJA E DYMBËDHJETË: ÇLIRIMI I NJU JORKUT NGA GJERMANËT 77 RRËFENJA E TREMBËDHJETË: HIJE NË FILADELFIA 83 Rrëfenja e parë: - Ja bre, kjo është Amerika! Tëmën bre, prefesor, - nis ligjëratën e përditshme shoferi, - sa llafe të ndyra kishmë dëgjuarë për Amerikën! Po na kishnë thënë-o, se këtu n’Amerikë njeriu shfrytëzohet pe njeriut. çne bre! Mbroçkulla! Këtu, or byrazer, ndodh e kundërta! Radha e veturave në portat me pagesë të Trajboro Brixhit është e gjatë. Megjithatë unë kam kohë deri në fillimin e punës. Tej mbi Menhetten, që e kemi në krahun e djathtë, kanë rënë rrezet e para të diellit dhe kjo kartolinë e rrallë e shtyn mikun tim Peçon, ashtu me duar mbi timon, të më bëjë një raport përmbledhës me përshtypjet e tij nga Amerika. Ai e ndjen që unë i dua rrëfenjat e tija në atë gjuhën dialektale korçare, rrëfenja që më zbavisin pa masë dhe nuk shterrin kurrë. Ikë sa të duash larg, ore, - vazhdon Peçoja, - mendjen në Shqipëri do ta kesh! Një sy këtu e dy atje. Unë atje kam pleqtë, siç i ke dhe zotrote. Edhe shokët e kushurinjtë e mij, pleqtë i kanë në Shqipëri... Mendjen atje e kemi të tërë. Sa bie telefoni, i pyesim: Keni korent-o? Po ujë? Si jeni me drita mo? Kemi qëndruar tek njëra nga kabinëzat mbi urën e Trajboros dhe Peçoja më zgjat dorën. I jap paratë për kalimin e urës, ai paguan, hapet trari dhe makina vazhdon rrugën për Kuins. Ja kështuuuu, prefesor! Jetojmë kohëra të mrekullueshme, kur ne shqiptarët e ardhur këtej, shumica mosha të reja, kemi lënë atje prindërit, pleq e plaka, që të na e bëjnë edhe njëherë elektrifikimnë e përgjithshmë! Me Peçon, vendet e punës i kemi pranë e pranë. Vetura është e tija, kurse pagën e urës e bëj unë. E ai më shpie në punë çdo ditë. Ai më shpie edhe tani që puna e tij ka një rënie. Punon në një kompani taksish dhe limuzinash, por kur shterrin pasagjerët Peçon e kanë nga të parët që pushojnë. Po ai nuk e prish terezinë. Paraqitet në mëngjes e pastaj kur i thonë që nuk ka punë për të, futet në një kafe në Kuins e pret t’u bëjë ndonjë shërbim me pagesë shqiptarëve me makinën e vet. Unë punoj në një Strehë, ku rehabilitohen fëmijë me të meta, kryesisht jetimë. Streha është e mbajtur mirë e financuar pjesërisht nga shteti i Nju Jorkut dhe më së shumti nga dhurues kristianë. Po Motër Gjenovefa është aq e zonja, sa shpesh arrin të marrë financime edhe nga qeveria federale. Ajo e ka themeluar vetë Strehën e tani fluturon nga krenaria që Streha e saj është bërë model. Unë aty organizoj argëtimet e fëmijëve dhe mbaj gjallë grupin e theatrit. Motër Gjenovefa që ka sjellë për vete një krevat të thjeshtë e fle aty në Strehë, rri orë të tëra duke parë inskenimet e mia mbi fëmijërinë e Linkolnit, Presidentit të lavdishëm të Shteteve të Bashkuara. Puna më ecën edhe më vjen keq që shokut tim Peços nuk i vete mbarë sikurse mua. Nganjëherë më duket se ai e di që atë ditë nuk do të ketë punë as me taksi as me limuzinë, por vjen, ja thjesht që të më bëjë lehtësi mua. E gjatë gjithë rrugës së gjatë nuk lodhet duke folur. Shpesh them që do t’ia mbledh këto rrëfenja. Jam i bindur që do t’i kujtoj të gjitha një e nga një ato që më ka treguar deri më sot. Janë tregime të jetuar nga ai vetë, por ka plot nga të shqiptarëve të tjerë, pasagjerë, që ia rrëfejnë rrugës dhe ai m’i sjell mua taze, të ngrohta. Jam kureshtar të di, se çfarë u rrëfen ai të tjerëve për mua. Se nuk mund të rrëfesh asgjë për një njeri si unë, që rri gojë kyçur e vetëm qesh hera - herës duke dëgjuar shoferin gojë kripur, që nuk lodhet kurrë së rrëfyeri. E flet e flet… Ja si tani: Rrimë këtu në Amerikë e ndjekëm me drithërimë të tëra kacafytjet dashamirëse të politikanëve atje, të cilave y thonë “kacafytje për të gjetur unitetnë”, unitet që nuku vjen, ce është nisur ters… Po është nisur ters bre, që në përçapjen e parë të Skënderbeut. Se ay e bëri me ugur të keq, o prefesor, qëkur për t’i bashkuarë shqiptarët, zgjodhi për kuvënd Lezhën, që atëherë quhej Lesh!.. Shoferi u jep një të fshirë xhamave, megjithëse ata mua më duken më të tejpashëm se kurrë. - Ka shumë vjedhje në Shqipëri, thonë, korrupsion. Qeveritarët e politikanët e kanë mendjen te paraja. Si e si, të bëhen milionerë! Prandaj është më mirë bre, kur shtetin e drejtojnë të ngopurit, pasanikët. Këtë po përpiqen të realizojnë partitë në Shqipëri. Që shtetin ta drejtojnë të pasurit, ka dy rrugë, prefesor: ose të pasurit të bëhen ministra, ose ministrat të bëhen të pasur! Në mëmëdhe po ndodh kjo e dyta; ministrat po bëhen të pasur!… Prandajza sa herë vete andej-këtej y them shqiptarëve, kudo që janë: vëllezër Filadelfiotë, Vaterburas, Njuxhersjotë, Bostonianë, Detroitjotë, çikagas, të ini krenarë për mëmëdhenë e dashur ore! Atje në mëmëdhe, vjedhjet kanë qëllime të pastra, fisnike. Atje vjedhin për pikësynime të nderçme… Njëherë vaftit, shteti i rripte lëkurën individit për të mirë të përgjithshme, sot për të mirë të tij, individi i rrjep lëkurën e përgjithshme shtetit. Peçoja vështron ca vrapues shalëjashtë, që ndjekin paralel veturën në të dy anët e rrugës. Një burrë i ngjallmë mezi i lëviz kilet e tij e duket aq i rraskapitur, sa të bësh be se ky është vrapimi i tij i fundit para se ta varrosin. - Sa e kishmë ëndërruarë Amerikën, o prefesor, ëh?… Këtu shëndoshesh, fryhesh pa dashur, o në p.. të sëmës! Ma shëkon ti prefesor, barkun, mullën time? Asnjë thërrimë dhjamë, as një çiçkë bark nuk kam patur në Shqipëri! Xhan o ushqim i Shqipërisë! Bëj unë tashi vrap, që të ul barkun, por varet e nga puna, bre. Se nuk është fizkultura kryesorja. Më parë, këtu, bënja gjashtë ditë punë, po ama, një ditë ia linja të tërën, vrapit. Nuk do linja punën për të vrapuar de! Pastaj ra puna. Fillova të bëj pesë ditë punë e dy ditë vrap… Pastaj .. m’u shkurtua akoma puna e fillova të bëj tri ditë punë e katër ditë vrap. Tani ka një muaj, bëj vetëm … vrap! Dhe miku im nuk ka të rreshtur: - Po sikur është vetëm ky hall këtu! Mua nuk më janë ndarë hallet, qëkur vura këmbën. Pa gjuhë, bre, pa gjë… Dy vitet e para punova pa letra, fshehur. Punonja në kat të gjashtë po së prapthi, gjashtë kate dënë dhe! As e pashë diellin as më pa! Nuku se amerikanët janë të rreptë, po kisha akoma në palcë të dredhurat e Selanikut. Këtu, shokët e mij… ezmerë, - se mo na e marrin amerikanët për racizmë! ata ezmerët dilnin e më blinin për të ngrënë, ata më mësonin zanatnë, gjuhën. Ja atje thellë, ku isha, e mësova gjuhën e vëndit, gurgull! Pas dy vjetësh, kur dolla mbi trotuaret lart, e mora vesh e xheç më ra dambllaja: gjuha që paskësha mësuar bilbil, nuk paskej qënë anglisht, o prefesor, po… spanjollçe oreee!!! Kur mos kem mamanë! Po si ore asnjëri nuk më tha, se ata hushkulurit ezmerë, kishin qënë nga Porto Rikua! Më shkuanë dy vjet. Fillova anglishten nga e para. Zhytem po s’mbytem unë!. Ama, thuaj hë, gjuhë më të zorçme, nuk bën nëna! Për të folur, hajde de, pa për të shkrojtur, po nuk vajte në shkollë, aha, harro mushkë…! Amerikanët, or byrazer, e shkruajnë “mace” dhe e lexojnë “qen”! Fëmijët venë në shkollë dhe e mësojnë, ne të rriturit, hiç-o, ç’të na vijë nga veshi. E kështu shtyhemi. Papo, është e bukur bre, kur e dëgjon tjetrin ta bëjë mishmashnë në mes të supermarketit, t’i thotë së bijës: “Na moj ti dhi e Ziçishtit! Mo më thuaj aj dont kerë, po mbylle grykën, ce të futa një pëllëmbë të mirë, sa të harrosh pasuordin e internetit dhe gjer bë dhjetë numëra celularësh!”… Peçoja e le tregimin dhe drejton gishtin nga një veturë që po na le pas. Shëko, shëko!.. E pe atë Mercedesnë? Ia pe flamurë tonë mbi targët? Ia pashë. i them unë. Gjen këtu dhe shqiptarë që të marrin gjak në vetull. Fitojnë dhe e derdhën paranë lumë. vazhdon Peçoja. Njëdizaj, një i njohuri im-njëherë vaftit bëmim zborë bashkë me të, - blevi një shtëpi një milion dollarë. Kur mos kem babanë! Saktësisht: një milion dollarë e 99 cent! Gjen bre këtu shqiptarë që hapin biznese, si ata devollinjtë që kishnë hapur një servis veturash dhe kishnë marrë me mëditje vetë amerikanët! Amerikanë bre, orgjinalë, kur mos i kem tërë! Dhe bile y mësojnë atyre korçarçen tonë. Ja, u ngëtheva nga një vizitë në Shqipëri unë, e vajta e po y rrëfenja devollinjve ç’kisha parë në mëmëdhe. Por më shumë u trondit pe atyre që rrëfenja unë, ay amerikani zezak, që punonte për ta. Me gojë hapur kamare pe habisë, dolli që poshtë maqinkës që po riparonte e më tha: “Me gjith mënt “o? Ik or t’u mbylltë e mëndjes”, - ia bëri zezaku, -“ ce nuku t’i ha njeri këto!?!”- “ Kur mos kem babanë!” i thashë. “Kur mos kem babanë, edhe unë s’t’i besoj!” ma previ zezaku dyke zënë be për babanë zezak! Në një udhëkryq të Kuinsit, dy policë amerikanë me fytyra kinezësh, po i jepnin radhë trafikut. Unë vura bast me veten se Peçoja tani do të hapte bisedë mbi kinezët. Dhe e fitova bastin: Nganjëherë nuk e merr vesh je në Amerikë apo gjëkundi tjatër!.. “hap temën tjetër Peçoja. - Dhuratat që shqiptarët, blenë për të dërguar në Shqipëri, të gjitha mbajnë etiketën e prodhimit Made in China! Po sikur na kanë mallkuarë, që të mos na ndahet Kina kudo që të vemë, or tëmën e sëmës!… Ore, amerikanët si sistem, fituanë mbi komunizmën, po si shpërblim e panë ç’y erdhi: iu mbush vendi me.. me… rusë-do ti a, polakë-do ti a, shqiptarë-do ti! Edhe një fitore kështu mbi Kinën y duhet këtyre e pastaj, që të shohç një amerikan, do të duhet të shkosh në rezervuaret e indjanëve! Edhe atje edhe jalla, kur ta gjesh! Ja kur mos kem mamanë në e tepëroj! Do të ma shohç pastaj Amerikën! Hë-hë- hë!… Po amerikanët janë të mençëm, ore, dhe tashi kanë filluarë ta kuptojnë mirë, se të drejtat e njeriut në Kinë, nuku janë edhe aq keq or jo!... Arritëm përpara Strehës. Peçoja nuk kish më kohë të përfundonte të tërë temën e kinezëve, të filipinëve, rusëve… Por, ja, kemi ditët e tjera që vijnë. Dhe unë mahnitem sa mirë i zbërthen Peçoja vuajtjet, lumturitë e peripecitë e shqiptarëve të mërguar në këtë tokë të Amerikës, në mes të këtij oqeani mërgimtarësh nga e gjithë bota…. Rrëfenja e dytë: - Kur mos kem mamanë! Nëse mund t’i themi ende djalë një dyzetvjeçari, vetëm se i ka faqet e kuqe dhe një dritë gazi që nuk i ndahet nga sytë, Peçoja është djalë, madje një djalë i këndshëm. Ai gërmon, nxjerr e na ve përpara gurë të çmuar nga përjetime të të tëra llojeve: që nga një periudhë burgu, një punë e vështirë në parkun e mallrave të Korçës, një dalje dyvjeçare në rrethinat e Selanikut dhe një hyrje e mundimshme në Amerikë, me ndërmjetësinë e kurbetlinjve të vjetër korçarë. Këtu punoi ca kohë si shofer brenda oborrit të një firme italo- amerikanësh, të cilët ia lejojnë vetes të marrin në punë një mërgimtar, që ende nuk i ka letrat nga autoritetet vendëse. Por nuk e linin Peçon të kalonte kurrë me kamion pragun e portës së oborrit të tyre. Tej pragut, pushteti i punëdhënësve italianë merrte fund. Tani banon pranë nesh në Mosholu Park, Norvud, Nju-Jork… Stacioni i parë i vizitave në shtëpinë time për të është rafti i librave. Edhe pse lexon për bukuri Tajmsin, pa thënë që ka një etje të pashuar për gjithçka botohet në atdhe, gjuha e Peços ruan koloritin e fshatrave të Fushës së Korçës ku edhe është lindur. Ai mendon se vetëm kështu mund të ngjitin më mirë rrëfenjat e tija. Unë them se e bën më shumë që të mos harrojë ta përdorë atë me bujtësat e tij, kurbetlinjtë e vjetër, të cilëve ajo gjuhë u ka mbetur ashtu, pa pasur ata asnjë mundësi e pa ndier asnjë nevojë për një përshtatje më bashkëkohore. Rrëfenjat e Peços janë gazmore e, nganjëherë, ai më ngjan si një korrespondent i dërguar në burgun e diktaturës e në qarqet e mërgimtarëve shqiptarë të Selanikut, të Bostonit dhe të Nju-Jorkut, nga ku reportazhet e dhembjes, mendon ai, janë bërë tashmë shumë. Ai duket sikur ka zbritur poshtë të gjuajë karaktere e ndodhi që të bëjnë të mendosh se asnjëherë jeta nuk është vetëm e vështirë. Nga kjo Peçoja duket pak i lehtë dhe jo aq serioz. Sidoqoftë, gjuha e tij na është bërë si epidemi e këndshme, sa edhe unë e zë veten duke i thënë: Ce bre Peço? Po ce o derëzi? Po ti qenke i lojtur o t’u mbylltë! Aty edhe ime shoqe po më pyet me “ce o burrë”, ndërsa fëmijët kanë harruar të betohen si më parë dhe tani të sigurojnë duke përdorur betimet e Peços: “Kur mos i kem të tërë!” ose, edhe më prekshëm, me atë “kur mos kem mamanë!” Kur na vjen për vizitë, ai nuk e ka për gjë ta lëshojë gojën edhe në prani të gruas sime. E pastaj nxiton t’i kërkojë asaj të falur duke e siguruar se ushqen për të respekt. Për shkarjet e gojës, gjithë fajin, sipas tij, ia ka qyteti ku është rritur. Ama, vërtet bre, kush i njeh mirë korçarët, - shfajësohej një ditë Peçoja, - nuk ua merr për keq. Shko në Pazar të Korçës, brenda orës dëgjon më shumë të shiten nga ato .. të nënave, se piperka e domate! Kur të qaj mamanë, çapëlojnë sytë e gojën të tërë ata që zbresin për herë të parë Korçë e dëgjojnë: “T’ëmën! Po ç’bëhet kështu or q..fjaj t’ëmën! Pat erdhur një herë një shkodran me shërbim, në Grumbullim të Korçës, siç vinte pe vitesh. Këtë herë qëllovi që shefit të një reparti, një natë më parë i kish vdekur babaj. Do vinin ta ngushëllonin shokët e punës e ay shkodrani i shërbimit kish thënë: “Po vij dhe veta!” Po juve e kuptoni tani sesi mbeti ay, kur i dëgjonte korçarët ta ngushëllonin shokun e tyre: “T’ëmën bre Kiço, po babaj vdiq o në p… të s’ëmës, ëh?” Shkodrani nuk u besonte veshëve. “Janë çmendur këta”,- thoshte me vete. Fillonte i dyti: “ Po kur vdiq, bre Kiço?” “Sot më të gdhirë” ia kthente Kiçua. “ Paaa! Si bre më të gdhirë?! E po m’i hëngsha t’ëmën, vdekja të merr kur t’i dojë bytha!” Varda goja ore! Kur mos kem mamanë! Fillonte i treti: “Kur e kini lënë varrimnë, o Kiço?” “ Më tre pas dreke” “ Më tre, ëh? Hiçgjë nuku jemi bre! Sot mbi dhê, nesër dënë dhê, o më i ..fsha t’ëmën vdekjes! Ta thosh veç njëri, e po hajde de! Po tërë gojë prishur, tërë me të shara nga nëna! Shkodrani i dha karar: kjo gojëprishje ishte pe atyre riteve që nuku ia njohim njëri-tjatrit e mendovi se korçarët gjithë këto, i kanë kundër mortjes. I erdhi radha atij vetë tashi. Juve e përfytyroni të gjorë shkodran, me zë të bukur, i sjellçmë, delikat, që po matej të kapërcente një ledh që s’e kish hedhur ndonjëherë. Djersët çurkë e nuk dinte si ta niste me Kiçon: t’i shante më parë nënën apo t’i thosh udhë e mbarë babajt?!… Ne qeshnim duke fshirë lotët, kurse Peçoja na siguronte, se të tëra këto ishin të vërteta. Kur mos kem mamanë, në ju gënjej! E ky ishte betimi i fundit i Peços me mamanë e tij. Atë betim ai nuk e përdor më. Katër ditë më pas Peços i vdiq e ëma. Në fillim e lajmëruan se ajo, befas, qe sëmurur rëndë. Atë ditë unë i vajta në dhomë dhe e gjeta Peçon në lot. Nuk e kisha parë të përlotur më parë dhe nuk e kam parë më që ato ditë. Ai më bëri shenjë të hiqja pallton dhe vazhdoi të dëgjonte ato që i rrëfente në telefon e motra që pati lënë Tiranën dhe kishte nxituar në fshat, ku banonin pleqtë. Pastaj, miku im la telefonin dhe u ul në një kulltuk të vjetër. Mamaja po na le, - tha me zë të shuar. Ka prerë gojën. Qëndruam kështu pa folur nja dhjetë minuta. I gjori Peço shfryu tërë pikëllimin në një psherëtimë. T’ëmën ç’bëj këtu n’Amerikë, unë bre?! Ëh? Dua të siguroj një jetë më të mirë-o? Po ç’duhet bre, kjo jetë, që do të më kujtojë se e lashë mamanë të më vdesë, jo dyke i ndënjur pranë, por dyke pritur vetëm ç’më thonë në telefon!?.. “ Ti moj korbë, po vdes?” e pyesin me siguri moshataret e saja, mamanë. “Po vdes”, u thotë ajo. “ Po ku e ke djalën e vetmë?” - “Ai më ka vdekur më parë, katër vjet të shkuara, kur u nis për Selanik… Që të rronte!… E andej më vdiq!”. Dhe Peçoja qante duke mos u përpjekur fare ta mbyste vajin dhe i fshihte lotët me dorë. Pëllëmbët i ishin bërë qull. Unë i vura thjesht krahun mbi sup dhe mezi përmbahesha vetë. Kur Peçoja mbyste ngashërimin, i linte udhë bisedës imagjinare që bënte e ëma me shoqet e saja plaka. - “E që atëherë nuk e ke parë më, moj ditëzezë?” “ Ja, për ta parë po nisem” … Peçoja u ngrit me rrëmbim dhe u vërsul në banjë. Pas pak doli duke fshirë fytyrën me peshqir. Ishte qetësuar disi. Më pa drejt në sy e më tha: I ndodh bre,

Description:
Një ditë Fatlumi ynë, pat lojtur fotboll me shokët e shkollës e ish lodhur shumë. Blevi domatet që e pat porositur e ëma dhe pa se kish humbur kartën shkollore, që paraqet në autobus. Pagovi nga kusuri i domateve një dollarë e gjysmë të këthehej në shtëpi. E ëma kish rrëmbyerë o
See more

The list of books you might like

Most books are stored in the elastic cloud where traffic is expensive. For this reason, we have a limit on daily download.